Të gjithë qytetarët, që posedojnë objekte të ndërtuara para vitit 91, të cilët nuk kanë mundur t’i hipotekojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të kenë mundësi të përfitojnë nga VKM-ja e qeverisë, që i bën ata pronarë të ligjshëm.

Ky proces, i cili ka për qëllim të formalizojë atë kategori pasurish të paluajtshme që zotërohen prej vitesh nga pronarët që nuk kanë mundur t’i regjistrojnë, do të kryhet nga zyrat vendore të ALUIZNI-t.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame nga Korça dha detaje për vendimin e qeverisë dhe mënyrën se si qytetarët mund të aplikojnë për të regjistruar këtë kategori pronash.

“Këta qytetarë mund të fillojnë vetë grumbullimin e atij dokumentacioni personal që zotërojnë, si leje të vjetra ndërtimi, akte pronësie, skica, genplane, akte shit-blerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të këshillave popullore apo dokumente të tjera provuese që të kohës së Zogut apo dhe më përpara”,

shpjegoi Lame.

Procedura e aplikimit është thjeshtuar, ndërsa VKM-ja parashikon edhe kalimin e pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metër katror, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave pritet të trajtojë 40 deri 60 mijë objekte në të gjithë vendin. Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t, do të krijohet një sektor i posaçëm, që do të ngarkohet me zbatimin e vendimit të qeverisë.

Tv Klan