Leja problematike për 4 kulla rrezikon banorët e Durrësit

Leja problematike për 4 kulla rrezikon banorët e Durrësit

21:31 10/07/2019

Në 10 Mars të vitit 2018 firma “JEDAS SHPK” hapi 5 gropa në lagjen numër 1 të Durrësit, në Kodër Vilë, me pretendimin e një sondazhi arkeologjik. Sipas informacioneve, në vitin 2011 po kjo firmë është pajisur me leje ndërtimi për ndërtimin e 4 kullave. Por kjo leje u pezullua dhe nuk u ekzekutua, pasi nuk plotësonte kriteret sizmiologjike, arkeologjike dhe ishte sipërfaqje e gjelbër.

Inxhinieri konstruktor Jorgji Stase tha se ky terren nuk duhet prekur sepse është tokë rrëshqitëse dhe përbën rrezik. "Ky terren nuk duhet ngacmuar sepse është me probleme! Eshtë tokë rrëshqitëse. Janë toka, që nuk kanë qëndrueshmëri", u shpreh ai.

Emisioni "Stop" siguroi gen planin e këtij projekti, ku shihen qartë 4 kulla, por ky projekt është manipuluar, pasi distanca ndërmjet ndërtimit, pallatit dhe shtëpivë është tepër e vogël.

Banorët u shprehën të shqetësuar për këto kulla. "Po na kërcënohet shtëpia. Uji i gropave buron poshtë shtëpive tona", tha një banor. Ndërsa një tjetër u shpreh: "Një herë u prekëm nga pallati atje sipër. Kam harxhuar 1 milion Lekë për të ndërtuar murin prej betoni. Më kanë prishur shtëpinë 500-vjeçare".

Emisioni "Stop" iu drejtua Bashkisë së Durrësit, ku mësoi se subjekti është pajisur me leje zhvillimore studimore më datë 5 Dhjetor 2017. Ndërsa në Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik u tha se këto gropa janë hapur për sondazhe arkeologjike dhe jo për leje ndërtimi.

Avokatja e banorëve të pallateve pranë, Dorina Ndreka tregoi se banorët iu drejtuan Gjykatës së Shkallës së Parë për shfuqizimin e lejes ndërtimore dhe marrjen e masës së sigurisë dhe gjykata ia pranoi kërkesë padinë.

Pala kundërshtare e apeloi dhe Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke mos e llogaritur fare ekspertizën që parashikon rrezikun.

"Gjykata e Apelit në marrjen e vendimit të saj ka pranuar mundësinë e dyshimeve të arsyeshme për një rrezik, por sipas saj, banorët duhet të vërtetonin me prova shkresore që dëmi është i pakthyeshëm. Ky është një absurditet logjik dhe ligjor, në mënyrën më kategorike. Gjykata e Apelit nuk e ka marrë në shqyrtim këtë akt ekspertizë. Aktualisht banorët kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë vazhdon gjykimi i çështjes së themelit", shpjegoi avokatja Ndreka.

Një qytetare sëbashku me kamerën e fshehtë pyeti shefin e Urbanistikës, Adhurim Qehajaj, që është dhe personi përgjegjës i dhënies së kësaj lejeje, se mbi ç’kriter dhe ç’masa sigurie është dhënë ajo. Ai thotë se ka pyetur inxhinierët, praktikisht baxhanakun e tij dhe tashmë për çdo gjë përgjigjet siguracioni.

Qytetarja:  Ideja është që ne ju jemi drejtuar zyrtarisht si banorë me një shkresë: A do të zhvillohet, a ka leje ndërtimi? Na keni thënë që nuk ka leje ndërtimi!

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Në atë moment, që e ke bërë ti…

Qytetarja: Si në atë moment që e kemi bërë ne? Edhe kur kemi shkuar tek Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit më është thënë që është zonë e cila zhvillohet, po.

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Keni bërë kërkesë me shkrim?

Qytetarja: Po, po, me shkrim dhe më është thënë që nuk ka leje ndërtimi. Atëherë, si doli kjo leje ndërtimi? Apo jeni periudhë votash tashi, se kështu i bie...

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Ka 1 vit.

Qytetarja: Jo, ne kemi 2 vjet që e ndjekim këtë. Qëkur ju keni dhënë leje zhvillimore, në fillim fare. Kush janë masat e sigurisë? Kush janë masat e sigurisë?

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: I kanë inxhinierët?

Qytetarja: Inxhinierët e kujt? Zoti Karaja, që është baxhanaku juaj? Është baxhanaku juaj, e di e gjithë Shqipëria, nuk është ndonjë gjë e re! Keni oponencën teknike, e cila vjen nga ministria për miratimin e lejes dhe nga ana tjetër çfarë ndodh? Nuk meret fare parasysh! Si mund të miratoni një projekt, i cili nuk ka asnjë lloj mase sigurie? Ju keni bërë një prononcim dhe thoni që kjo leje është e ligjshme. Si qenka e ligjshme, kur ajo rrezikon?

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Është opinioni jot!

Qytetarja: Nuk është opinioni im mo, e ke “karta a karta”.

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Ku e ke?

Qytetarja: Është e shkruajtur edhe në oponencë teknike mo vëlla, ku ty të thotë oponenca teknike, që shkalla e rrezikshmërisë është shumë e lartë, ju si bashki kur erdhët, e verifikuat rastin?

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Nuk verifikon Bashkia!

Qytetarja: Si nuk verifikon bashkia? Po kur e jep lejen e ndërtimit, si e jep pa verifikim?

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Nën përgjegjësinë e atyre (inxhinierëve)

Qytetarja: Nën përgjegjësinë që hajde se filloi fushata zgjedhore dhe hajde ngremë 4 kulla atje?! Në rast se do të bjerë kjo kodër, kush do e mbajë përgjegjësinë?

Shefi Urbanistikës Adhurim Qehajaja: Siguracioni!

Qytetarja: Siguracioni? Po ju çfarë përgjegjësie mbani zotëri? Mund ta di se çfarë përgjegjësie mbani ju?

Nga ana tjetër, ekspertja e ndërtimit Luiza Bala u shpreh se bashkia duhet ta anulojë sa më parë atë leje sepse ajo do të sjellë një katastrofë për pallatin 11 katësh që është afër, për 4 kullat, si dhe banorët e shtëpive private.

"Ky objekt mua më del në ajër se kemi pjerrësi nga të dyja krahët. Objektet kanë disnivel dhe nuk mund jenë kurrë në një kuotë të katërt, siç është parashikuar te projekti. Kjo do të thotë që kjo leje nuk zbatohet me këto kushtë që janë këtu. Ekspertët në gjykatë, se ata e kanë bërë lojën këtu, deklarojnë se ky është projekt ide, domethënë kanë të drejtë ta ndryshojnë sa herë të duan. Por leja merret vetëm me projekt konstruktiv të detajuar. Projektet nuk përputhen me terrenin, janë në kundërshtim të plotë të ligjit!", shpjegoi ekspertja Bala./tvklan.al

Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI