Edhe jahtet e kroçerat duhet të kenë leje të veçantë për ankorim

Kanë qenë disa rastet gjatë sezonit turistik në vite të kaluara, kur pushues të cilët notonin janë vrarë nga mjete lundruese të vogla, kryesisht motorët e ujit. Mes viktimave ka pasur edhe turistë të huaj.

Për të rregulluar këtë situatë, qeveria ka ndryshuar ligjin për turizmin detar. Sipas draftit të ri, motorët e detit duhet ta ushtrojnë aktivitetin në një distancë prej 500 metrash nga plazhet e frekuentuara, si dhe në një largësi prej 100 metrash nga mjetet e peshkimit. Po ashtu, edhe ata që bëjnë sërf, duhet që ta ushtrojnë në një largësi prej 300 metrash nga plazhet e frekuentuara.

Ligji i ri prek gjithashtu edhe aktivitetin e jahteve dhe kroçerave. Tani, jahtet që përdoren për qëllime fitimprurëse para se të jepen me qira, ose në përdorim, duhet që të jenë të regjistruar në regjistrin detar. I njëjti kusht është edhe kroçerat vendase, ndërsa ato të huaja duhet të jenë të autorizuara për të hyrë në ujërat shqiptarë dhe të kenë kontratën me operatorin turistik në vendin tonë.

Klan Plus