Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se amendimi i ligjit që i hap rrugë rrënimit të Teatrit Kombëtar është një akt grushti shteti, teksa paralajmëroi për trajtim politik si terrorist për të gjithë ata deputetë që do ta votojnë.

Ligji Rama-Fusha është një ligj antikushtetues, duhet të rrezohet nesër në parlament. Dua t’i them sot çdo deputeti të ‘Rilindjes’ që do të jetë në atë sallë, se votimi nesër në parlament i një ligji që i hap rrugë rrënimit të Teatrit është i papranueshëm për PD. Është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të ‘Rilindjes’ në pozita të barabarta me terroristët, terroristët të cilët në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe të ligjeve të vendit tjetërsojnë pronën publike, shkatërrojnë memorien historike, gllabërojnë dhe shkatërrojnë vlerat kulturore për të mbushur xhepat

”, tha Basha, në një prononcim për mediat nga selia blu pas takimit me artistët dhe intelektualët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Secili prej kartonmbajtësve në parlamentin e Republikës së Shqipërisë ka orët e fundit për të reflektuar që nesër çdokush që ngre kartonin për të kaluar një ligj të tillë antikushtetues dhe për të shembur me anë të terrorit shtetëror godinën e teatrit, do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror.

Basha tha se të enjten në Kuvend do të kryhet një akt antikushtetues. “

Në vend të rrëzimit apo pranimit të dekretit të Presidentit, do të amendohet ky ligj për t’i hapur rrugë një procesi fasadë 30 ditor ku në fund krimi i organizuar dhe përfaqësues të tyre përsëri do të marrin leje për të gllabëruar pronën publike.

/tvklan.al