Gazetari Blendi Fevziu u shpreh gjatë një interviste në Klan News se zgjedhja e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit nga ana e Ramës është kalkuluar si një lëvizje për të ruajtur balancat gjeografike, gjeopolitike dhe fetare brenda Shqipërisë.

Sipas Fevziut, legjislaturën e kaluar ka ndodhur një rast i paprecedentë ku tre drejtuesit e institucioneve më të larta në Shqipëri ishin nga jugu.

“Nuk e di se cili ka qenë kalkulimi që ka bërë Rama për këtë çështje, por në gjykimin tim nëse do të jetë i tillë do ishte diçka që ndikon pozitivisht, është që në mandatin e kaluar Shqipëria ka pasur një rast të paprecedentë në historinë e saj që Presidenti, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit ishin të tre nga jugu. Rama vjen nga zona e bregut dhe e Durrësit. Meta nga Skrapari dhe Ruçi nga Tepelena. Veriu ishte i papërfaqësuar dhe kjo i dha një kosto Ramës në zgjedhjet e fundit. Është normale që një katolike, nga veriu, që përfaqëson në besim fetar ndryshe nga ai që kanë pasur drejtuesit e tjerë dhe që po ashtu është me origjinë nga veriut, është dhe grua, të zgjidhet. E shoh si një lëvizje për të ruajtur balancat, gjeografike, gjeopolitike dhe fetare brenda Shqipërisë. Në gjykimin tim. Mbase kryeministri ka pasur një kalkulim tjetër. Shqipëria ka pasur gjithmonë një balancë, madje edhe në kohën e Enver Hoxhës. Kishte një balancë. Rrallë ka ndodhur që të kishte një drejtim”, tha Fevziu./tvklan.al