Ndoshta për herë të parë Lionel Messi shprehet kaq hapur duke vlerësuar rivalin e tij Cristiano Ronaldo. Gjatë një interviste për Radio Cataluna, argjentinasi ka pranuar se Real Madrid pa Ronaldon nuk do të jetë më e njëjta skuadër.

“Largimi i Ronaldos e bën Realin një skuadër më pak të mirë, dhe njëkohësisht Juventusin një favorit të sigurtë për të fituar Champions”.

Messi nuk e fsheh habinë e kësaj lëvizjeje të portugezit.

“Nuk e imagjinoja që do të largohej nga Madridi dhe aq më pak që do të shkonte tek Juventus. U surprizova shumë por mendoj se ka shkuar në një ekip shumë të mirë”.

Ofertat në drejtim të Messit nuk kanë munguar, por tashmë edhe në rolin e kapitenit të skuadrës, ai thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në Barcelonë.

“Këtu i kam të gjitha. Kam 13 vjet këtu. Jam në ekipin më të mirë të botës. Qyteti po ashtu. Familjen e kam këtu. Edhe fëmijët kanë lindur këtu. S’kam asnjë arsye për t’u larguar”.

Rivaliteti mes Messit dhe Ronaldos nuk ka qenë vetëm për vlerësimin si futbollisti më i mirë, por edhe në anën financiare si lojtari më i paguar. Argjentinasi gjithsesi paguhet 15 milionë Euro më shumë në vit se sulmuesi i Juventusit.

Tv Klan