Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, nga studio e “Opinion” në Tv Klan, ka reaguar pas kritikave të adresuara ndaj policisë për arrestimin e disa qytetarëve të cilët kanë protestuar pak ditë më parë.

I pyetur nga Blendi Fevziu, se a është normale që një grua të tërhiqet zvarrë, ministri Lleshaj tha se ata qytetarë të cilët janë ndaluar, kanë shkelur ligjin, kur në një kohë pandemie nuk lejohen tubimet.

Blendi Fevziu: Pse duhej tërhequr zvarrë një grua në atë formë?

Sandër Lleshaj: Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, është një pamje e papëlqyeshme… kemi të bëjmë nga një shkelje të hapur të ligjit nga ata që i quajtët shoqëria civile. Ka një ligj që ndalon tubimet në kohën e pandemisë, as tre veta nuk mund të dalin kur ligji është në fuqi. Nëse do ta shihni me kujdes, t’i bëni analizë, dhe pse mendoj se nuk është ngjarje që e meriton aq vëmendje, ju garantoj që qytetarët janë në krah të policisë, se nëse qytetarët do të silleshin kështu, ne do ishim në katastrofë. Ata që kanë pasur zë publik kanë nxituar dhe kanë arritur në konkluzione të papranueshme, askush nuk mund të artikulojë fjalën turp për policinë.

Blendi Fevziu: A mund të quhet turp për ata persona që po tërheqin zvarrë këta përfaqësues të shoqërisë civile?

Sandër Lleshaj: Turp është për ata persona që sulmojnë policisë, dhe ata po bëjnë detyrën në mënyrë korrekte. Mjafton të shihni pamjet të po së njëjtës ditë në Bundestagun gjerman dhe do të shihni që ke skena më të forta se kjo. Policia është për të zbatuar ligjin, nëse ne do ta mësojmë policinë ta zbatojë vetë ligjin, ne kemi shkatërruar shtetin dhe shoqërinë tonë.

Blendi Fevziu: Po nuk kishte asnjë formë tjetër që të flitej me këta njerëz e tu thohej që të largoheshin?

Sandër Lleshaj: Kur policia përdor dhunën apo forcën fizike, e përdor pasi janë konsumuar të tjerat. Duhet të theksoj një gjë se është shumë e rëndësishme, jo për këtë rast, se për mua ky rast për mua pa relevancën e mjaftueshme për t’u marrë me të, por në përgjithësi policia duhet të jetë strukturë e verbër para ligjit.

Blendi Fevziu: Po çfarë do t’i ndodhte policisë nëse ata persona do të kishin protestuar?

Sandër Lleshaj: Problemi është këtu që nëse ia lëmë policisë që të gjykojë …

Blendi Fevziu: Policia ju ka vënë ju në dijeni për këtë rast, ka kërkuar urdhër?

Sandër Lleshaj: Jo, sepse policia nuk vepron me urdhra por me ligj, dhe ka urdhër të përjetshëm të zbatojë dhe mos shmanget nga ligji. Do të vijmë në situata të tjera, Presidenti do na çojë në situata të tjera që nëse ti je në rrezik, polici do gjykojë që të mos ndërhyjë…. /tvklan.al