Pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit, Lorik Cana ndryshoi motivin e udhëtimit të tij drejt Amerikës. Ai tashmë është duke mbledhur ndihma për familjet e prekura nga tërmeti.

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare ka kërkuar mbështetjen e shqiptarëve që ndodhen përtej oqeanit dhe në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, u shpreh se ka arritur të mbledhë më shumë se 50-60 mijë dollarë.

Kemi mbledhur diku tek 50-60 mijë dollarë vetëm në mbrëmjen e parë. Duhet ta çojmë amanetin deri në fund, pasi është një detyrë morale dhe shpirtërore dhe nuk duhet të luhet me këtë gjë. Ne me fondacionin dhe me shoqatat do të evidentojmë shtëpi, kopshte ose shkollë dhe do ta bëjmë drejtpërdrejtë me fondacionin”.

Gjithashtu Lorik Cana shton se nuk mund të ndezim atdhedashurinë vetëm kur na ndodhin tragjedi.

Dashuria për vendin, dashuria për të investuar tek gjeneratat që vijnë. Nuk është diçka që fiket dhe ndizet. Është si besimi ndaj Zotit. Nuk mund t’i kthehemi Zotit vetëm kur kemi tragjedi, apo kur kemi fëmijë të sëmurë, apo kur gjendja është e sëmurë. Besimi ndaj Zotit është përditë. Duhet ta falenderojmë Zotin përditë, duhet të besojmë tek Zoti përditë. Atdhedashuria është njësoj. Nuk mund të ndezim atdhedashurinë vetëm kur na ndodhin tragjedi. Sepse në shumë raste ajo që na çon ne në këto ngjarje është pikërisht se ne gjatë rrugës nuk i bëjmë gjërat siç duhet”./tvklan.al