Opinion– Bombardimet e NATO-s për Kosovën filluan më 23 Mars të 1999 dhe përfunduan në Qershor të po atij viti. Ishte beteja e parë dhe më të rëndësishme e Atlantikut, që prej krijimit të saj në vitin 1949. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 25 Mars të vitit 2009, solli pamje të pa transmetuara ndonjëherë.

Në pamje shihet se si shqiptarët kanë luftuar në brendësi të territorit kosovar, por edhe atij shqiptar. Gjatë emisionit, Auron Tare risolli në vëmendje detaje nga lufta e Kosovës dhe sëbashku me Blendi Fevziun komentuan pamje filmike të marra nga televizioni ITN.

“Unë isha pjesë e ITN-së në vitin 1996. Ka pasur një numër të madh vullnetarësh që vinin nga jashtë për të luftuar bashkë me UÇK-në. Kishte nga ata që kishin ardhur nga Amerika. Një pjesë të madhe të vullnetarëve, ne nuk ia dinim emrat, sepse ata nuk donin të identifikoheshin. Por ata kishin entuziazëm për atë që po bënin dhe kjo ndihej mjaft qartë”.

“Në Qershor të 1999 është goditur brenda territorit shqiptar dhe kjo për arsye se kishte prezencë të ushtrisë serbe dhe aviatorët e kishin të pamundur të kuptonin ku ndaheshin kufijtë. NATO po mundohej të godiste pozicionin e fundit të ushtrisë serbe. Kur na sqaruan më vonë, na treguan se në hartat që iu ishin dhënë aviatorëve ishte gabuar në disa milimetra. Tanket shqiptare ishin pozicionuar dhe kishin hapur zjarr kundrejt ushtrisë serbe. Në atë kohë ne punonim me kanale televizive të huaja dhe më kujtohet që në hartat e tyre, Gjakova quhej Gjakovica, Peja quhej Peç etj”.

“Në atë kohë ne kemi bërë edhe një kronikë në një bazë të UÇK-së, ku ishin edhe dy vajza. Njëra prej tyre përcolli edhe mesazhin e UÇK për fitore dhe bëri shumë përshtypje edhe jashtë vendit. Sëbashku me Peter Morgan dhe Sarah Shaw, gazetarë shumë të njohur, kemi qenë në një njësi ushtarake të UÇK dhe ishte hera e parë që ata panë që UÇK ekzistonte. Në fillim UÇK nuk identifikohej dhe ka pasur dyshime se ishte një krijesë e shërbimeve sekrete jugosllave dhe ne u përpoqëm ta nxirrnim për herë të parë publikisht dhe patëm fatin që në Tropojë ramë në gjurmët e shtabit që organizonte përgatitjen fillestare. Osman Kelmendi ka qenë i pari që ka dalë dhe ka folur për rrjetet televizive për programin e UÇK-së. Kjo ishte përpjekja e parë e shtypit ndërkombëtar për të identifikuar se çfarë po ndodhte në atë zonë”,tregoi Tare. / tvklan.al