Ekspertët: Masat kufizuese shtuan interesin e qytetarëve

Pandemia e Covid-19 solli revolucion në shitblerjet online në vendin tonë, pasi masat kufizuese detyruan bizneset të operojnë në kushte të pazakonta. Ekspertja e shitjeve online, Pranvera Rrapushi shprehet se 2020 solli interes të lartë për këtë sektor

“Pandemia solli një zhvillim akoma më të madh në hapa më të shpejtë, qoftë nga bizneset që ofronin këtë llojë shërbimi për të shitur produketet e tyre online.

Kishte edhe një kërkesë shumë të madhe nga konsumatorët që përqafuan shumë shpejt këtë llojë risie dhe bëhet fjalë jo vetëm për moshat e reja siç ka qenë para pandemisë, por tashmë shikojmë që blejnë online edhe moshat deri në 60 vjeç”, tha Rrapushi.

Në krahasim me vitet e mëparshme, vitin e shkuar interesi i qytetarëve për shitblerjet online arriti mbi 40%.

“Nëse bëjmë një krahasim të 2019-ës me 2020-ën, ka një rritje shumë të madhe të kurbës me 40% dhe nëse flasim për 2021 që sapo kemi startuar, kjo kurbë do të rritet akoma më tej”, tha ajo.

Sipas ekspertes, shqiptarët pavarësisht grupmoshave kur duan të zgjedhin një produkt i referohen rrjeteve sociale.

“Ndryshe nga gjithë bota që janë edukuar të blejnë produktet apo shërbimet e tyre në një uebsajt serioz, në Shqipëri funksionon masivisht blerja online në rrjete sociale”, tha Rrapushi.

Përveç blerjeve të produkteve të ndryshme, sipas INSTAT edhe baret e restorantet realizuan shitje online deri në 38% në 2020, nga 12.8% në vitin 2019.

Klan News