Maas konfirmon “jo”-në për dërgesat e armëve në Ukrainë




Maas konfirmon “jo”-në për dërgesat e armëve në Ukrainë

09:40 02/06/2021

Presidenti i Ukrainës kërkoi ndihmë ushtarake nga Gjermania. Por qeveria gjermane i përmbahet linjës së saj se konflikti me Rusinë mund të zgjidhet vetëm politikisht.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas i përmbahet qëndrimit të qeverisë gjermane për të mos dërguar armë në Ukrainë.

Ai është i bindur se konflikti në Ukrainën lindore mund të zgjidhet vetëm politikisht, tha Maas në kuadër të një video konference me kolegët e NATO-s.

Presidenti ukrainas Wolodymyr Zelenskyi pati deklaruar edhe një herë në një intervistë se do të donte që Republika Federale ta mbështeste atë në formën e dërgesave të armëve. Selenskyji i tha gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Ukraina kishte nevojë për skafe për raketa, anije patrullimi, armë sulmi, pajisje radiolidhjeje dhe automjete të blinduara ushtarake. Ai vërtet i është mirënjohës Gjermanisë për mbështetjen që ka  dhënë, por ai shpresonte për më shumë. Bashkëkryetari i të Gjelbërve, Habeck, e ka kuptuar këtë, shtoi Zelenskyi.

Maas i bën thirrje Rusisë për dialog

Në marrëdhëniet e tensionuara midis NATO-s dhe Rusisë, Ministri i Jashtëm gjerman Maas mendon se qeveria e Moskës duhet të përmbushë një detyrim. NATO-ja është e gatshme të vazhdojë bisedimet, tha Maas duke pasur parasysh  konferencën e sotme të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Por topi tani është në fushën e Rusisë. Në konferencat e tyre me video, ministrat po përgatisin samitin e NATO-s të 14 qershorit.

Në këtë kuadër do të tematizohet edhe politika e Rusisë, e cila perceptohet si agresive. Prioritetet e tjera janë planet e reformimit të NATO-s dhe tërheqja nga Afganistani. Në samitin në Bruksel do të marrë pjesë për herë të parë edhe Presidenti i SHBA, Joe Biden. SHBA ka kohë që kërkon që vendet e tjera të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer u shpreh gjithashtu në favor të rritjes së buxhetit të NATO-s. Ajo tha se është e rëndësishme të forcohet aftësia për të vepruar së bashku, edhe më shumë burime të përbashkëta. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë propozime shumë të mira në këtë drejtim./DW





Të ngjashme