Një Macron ndryshe nga ai me të cilin jemi mësuar është prezantuar për publikun nga fotografi zyrtar i presidentit francez, ku ai shihet duke u marrë me boks. Fotot e shefit të Elizesë janë postuar në Instagram nga fotografi i tij zyrtar.

Përdoruesit e mediave sociale shpejt filluan ta krahasojnë atë me Rocky Balboa. Disa të tjerë thonë se shefi i Elizesë po përgatitet për t’u përballur me presidentin Vladimir Putin, i cili nuk është i panjohur për setet e tij fotografike në të cilat shpesh ka treguar aftësitë e tij sportive. Putin më parë është fotografuar duke peshkuar dhe duke mposhtur kundërshtarët e tij në xhudo.

Në këtë linjë është edhe gazeta britanike Daily Mail, e cila shkruan se Macron po shfaqet gjithnjë e më shumë si njeriu i fortë i Evropës që i kundërvihet Putinit. Fotot vijnë pas paralajmërimeve të përsëritura nga Macron, i cili është shprehur se dërgimi i trupave ushtarake në Ukrainë nuk duhet të “përjashtohet” dhe u kërkoi udhëheqësve evropianë të mos jenë “frikacakë” kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Ukrainës.

Klan News