Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është shprehur përballë gazetarit Blendi Fevziu disa javë më parë se nëse në Spitalin Infektiv shtrohen 80 pacientë dhe 15 futen në terapi intensive atëherë do ndalohet në vend, por nuk do të ketë kthim mbrapa. Mirëpo rastet e ditëve të fundit janë shtuar ndjeshëm dhe çfarë pritet të ndodhë?

Ministrja Manastirliu ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku tha se situata do të vlerësohet në mënyre dinamike. Ajo u shpreh se janë gati disa skenarë dhe sistemi shëndetësor është i gatshëm të përballojë situatën edhe nëse shtrohen 80 pacientë në Spitalin Infektiv.

Ministrja tha se në Shqipëri janë 550 shtretër që do të shërbejnë për të trajtuar pacientët me koronavirus.

“Kemi disa skenarë gati për t’i aplikuar. Kemi bërë gati që sistemi të përballojë raste mbi 80. Nëse i kalojmë mbi 80 Spitali Infektiv ka 120 shtretër kapacitetin, pastaj kemi bërë gati spital 2 që është ‘Shefqet Ndroqi’, Covid 3 që është ish-Kirurgjia dhe Covid-4 që është ish-Kristal. Në total janë 550 shtretër për të trajtuar pacientët me Covid-19”, tha Manastirliu./tvklan.al