Pas Shkodrës, Fierit dhe Vlorës, këtë të shtunë ka nisur procesi i vaksinimit për stafet mjekësore edhe në qytetin e Elbasanit

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila pa nga afër procesin tha që brenda këtyre dy muajve do të përfundojë vaksinimi për bluzat e bardha.

“Vijojmë vaksinimin në të gjithë qarkun për sa i përket spitaleve bashkiake”.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se vaksinimi do të vijojë të shtrihet në territor, duke përfshirë edhe mjekët e familjes.

“Nga java tjetër fillojmë edhe vaksinimin sipas protokolleve dhe prioriteteve të mjekëve të familjes,” tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në Pediatrinë e Elbasanit, ajo u shpreh se ky investim përmbyll investimet transformuese në spitalin e qytetit.  

“Me këtë investim përmbyllet gjithë qendra spitalore e Elbasanit”

Pas përfundimit të Pediatrisë së Durrësit, investimit për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, rikonstruksioni i Pediatrisë së Elbasanit është një tjetër investim për modernizimin e shërbimit shëndetësor për fëmijët, afër vendbanimit.

Klan News