Një komunitet i vlerësuar, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Serbi kanë qenë gazetarët, të cilëve u është dhënë prioritet në vaksinim.

Gazetari Idro Seferi ka raportuar nga Beogradi për Klan News se në Serbi janë vaksinuar rreth 3 mijë gazetarë, menjëherë pas policisë dhe ushtrisë.

“Qeveria ka bërë një listë me rreth 3 mijë gazetarë dhe të gjithë janë vaksinuar. U është dhënë mundësia pasi ne takojmë shumë njerëz, rrimë në vende të ndryshme që janë zona të rrezikuara dhe menjëherë kemi qenë pas policisë dhe ushtrisë të vaksinuar të gjithë”, u shpreh gazetari.  

Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut u është dhënë prioritet gazetarëve. Xhumadije Ibrahimi ka raportuar se atje gazetarët janë në fazën e dytë për të marrë dozën e vaksinës.

Pyetje: Sa vaksina kanë arritur dhe kur mendohet që mund të kryhet vaksinimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut?

Donacioni në fakt nga Serbia që arriti në Maqedoninë e Veriut, ishin 4860 vaksina, por gjatë ditës së nesërme do të arrijë dhe doza tjetër e vaksinave, donacion nga Serbia. Këtë radhë, ashtu siç ishte paralajmëruar, vaksinat do t’i presë Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, së bashku me homologun e tij nga Serbia.

Se kur do të kryhet procesi i imunizimit, kompetentët ende nuk thonë asgjë, sepse gjithçka do të varet nga arritja e vaksinave që janë porositur dhe është arritur marrëveshje, si me Kinën, ashtu edhe me mekanizmat e Covax. Siç e ka thënë edhe kryeministri Zaev, Maqedonia e Veriut do të porosisë edhe 100 mijë doza të vaksinave Sputnik V nga Rusia.

Pyetje: Ka një plan qeveria me grupmoshat, apo njerëzit futen në faqen online dhe regjistrohen?

Të gjithë qytetarët që janë të interesuar dhe duan ta bëjnë vaksinën paraqiten në aplikacionin që është hapur nga ana e qeverisë. Mirëpo nuk u caktohet një datë konkrete, se kur do të marrin vaksinën dhe pas aplikimit, kontaktohen nga ana e autoriteteve.

Ashtu siç dihet përparësi ka personeli mjekësor dhe në fazën e dytë do të jenë gazetarët dhe më pas të gjithë të moshuar mbi moshën 70 vjeç, më pas edhe persona të tjerë.”

Pyetje: Pra në fazën e dytë janë gazetarët tek ju?

Po, këtu janë në fazën e dytë pasi të kryen 4 mijë mjekë, në fazën e dytë do të fillojnë gazetarët”.

Klan News