Në Maqedoninë e Veriut zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Qendrat e votimit janë hapur që në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19. Votimi ka nisur pa probleme dhe të gjitha qendrat janë hapur në kohë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i gjithë procesi po shkon rregullisht ndërsa pjesëmarrja është më e ulët krahasuar me procesin e kaluar. Më herët gjatë së martës kanë votuar qytetarët e diasporës, të burgosurit, të sëmurët dhe ata që qëndrojnë në azilet e të moshuarve.

Me të drejtë vote janë mbi 1.8 milionë qytetarë ndërsa këto janë zgjedhjet e 7-a presidenciale që nga pavarësia e vendit. Në garë në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve janë 7 kandidatë mes tyre edhe dy shqiptare, Bujar Osmani dhe Arben Taravari.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr mbi 50 përqind të votave, atëherë dy kandidatët më të votuar do të shkojnë në balotazhin e 8 Majit. Në këtë datë do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Pritet që rezultatet e para të votimeve të sotme të dalin rreth orës 23:00.

Klan News