Maturantët në protestë për provimin e Gjuhë-Letërsisë


Maturantët në protestë për provimin e Gjuhë-Letërsisë

16:00 12/06/2020

Vrapi: Të gjitha pyetjet iu përmbajtën programit orientues

Janë maturantët e Tiranës që protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë rishikimin e testit të Gjuhë-Letërsisë, të zhvilluar një ditë më parë. Akuzuan Ministrinë se struktura e provimit ndryshonte nga modeli i dhënë në programin orientues dhe se pyetjet ishin absurde e pa logjikë.

Maturantët kërkuan përmbushjen e 3 kërkesave si mundësinë për rivlerësimin e tezës së provimit, uljen e pragut minimal për të kaluar, si dhe mosvlerësimin e pyetjeve të dhëna jashtë programit. Revoltën e shfaqën duke goditur me vezë edhe fasadën e Ministrisë.

Pretendimet e maturantëve u hodhën poshtë nga Drejtoresha e Shërbimeve Arsimore, sipas të cilës, çdo pyetje ka qenë brenda programit orientues.

“Për rishikimin e testit nuk shikoj asnjë arsye për shkak të procedurave që ne ndjekim, kemi protokolle shumë të përcaktuara. Nuk kam asnjë pretendim konkret, asnjë pyetje konkrete, ekipi thotë që nuk ka asnjë lloj defekti”.

Maturantët thanë se do të adresojnë konkretisht problemet e testit dhe se në mungesë të plotësimit të kërkesave nuk përjashtojnë as bojkotin e provimeve të radhës.

Tv Klan




Të ngjashme