Mbështetja buxhetore kundër Covid, Meta: Jemi të fundit në rajon, nuk luftohet me propagandë



Mbështetja buxhetore kundër Covid, Meta: Jemi të fundit në rajon, nuk luftohet me propagandë

10:33 29/01/2021

Duke iu referuar një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar që e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në rajon për mbështetjen financiare në luftën ndaj Covid, Presidenti Ilir Meta i bën thirrje Qeverisë që të rrisë fondet në këtë aspekt.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se pandemia e Covid-19 nuk luftohet me propagandë, teksa evidenton se numri i të infektuarve dhe viktimave vijon të rritet.

Sipas Presidentit Meta, mbështetja buxhetore për përballimin e pandemisë në Shqipëri është 4.5 herë më pak se vendet e rajonit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e muajit janar 2021, mbi nivelin e mbështetjes fiskale të drejtpërdrejtë për pandeminë, e rendit Shqipërinë të fundit në rajon. Niveli i mbështetjes buxhetore rezulton rreth 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit. Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sa i përket mbështetjes kundër COVID-19, ndërkohë Maqedonia e Veriut ndodhet në nivelin 2.6% të PBB, Bosnje-Hercegovina në 5.1% të PBB, Kosova 5.6% e PBB, Serbia 5.6% e PBB dhe Mali i Zi në 8% të PBB.

COVID-19 nuk luftohet me propagandë. Numri i të prekurve dhe i jetëve të humbura po rritet çdo ditë. Qeveria duhet të shkurtojë pagesat për PPP-të dhe të shtojë mbështetjen buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë. Asgjë nuk ka më shumë vlerë se shëndeti dhe jeta e qytetarëve, që duhet të jenë prioriteti ynë absolut”, thuhet në reagimin e Presidentit Ilir Meta. /tvklan.al







Të ngjashme