Një nga markat më të njohura të bukës në Japoni “Pasco Shikishima Corporation” po tërheq mijëra pako dhe po ofron rimbursime pasi mbetjet e një miu janë gjetur në produktet e saj. Rreth 104,000 pako me bukë të bardhë të prerë në feta të prodhuara nga “Pasco” janë nxjerrë nga raftet e pikave të shitjes. Pjesë të miut ishin zbuluar në të paktën dy pako.

Buka “Pasco” është një element kryesor në shumë familje japoneze dhe një prani e kudogjendur në supermarkete dhe dyqane në të gjithë vendin. Deri më tani nuk është raportuar për të sëmurë si pasojë e konsumimit të bukës.

“Ne kërkojmë ndjesë të thellë për shqetësimin e shkaktuar ndaj klientëve tanë, partnerëve të biznesit dhe të gjitha palëve të interesuara,” tha kompania në një deklaratë.

Buka është prodhuar në një fabrikë në Tokio, puna e së cilës është pezulluar. Në deklaratën e kompanisë, “Pasco” nuk sqaroi se si mbetjet e miut përfunduan në produktet e tij, por premtoi se do të bëjnë çmos për të forcuar kontrollet e tyre të cilësisë në mënyrë që një gjë e tillë të mos ndodhë më.

Kompania që atëherë ka publikuar një formular në faqen e saj të internetit për klientët e prekur që të aplikojnë për rimbursim në internet. Produktet e saj eksportohen gjithashtu në SHBA, Kinë, Australi dhe Singapor, dhe në shtete të tjera./tvklan.al