Gjatë vitit 2005 inflacioni në vend do të ruhet në kufijtë 2 deri në 4 % ndërsa rritja ekonomike do të jetë 6-7%. Këtë premtoi kryeminsitri Fatos Nano në mbledhjen e qeverisë gjatë miratimit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2005.

Fatos Nano: “Projektbuxheti i shtetit për vitin 2005 është një kontribut i rëndësishëm i qeverisë për të ruajtur dhe kosoliduar arritjet pozitive në treguesit e stabilitetit makro-ekonomik dhe të ushtrimeve produktive buxhetore të arritura dhe të konsoliduara në vitet e fundit. Ky program buxhetor i shtetit për vitin e ardhshëm do t’i shërbejë përmirësimit të një ambienti të qëndrueshëm makro-ekonomik duke konsoliduar rritjen në kufijtë 6-7 %, duke e ruajtur inflacionin në kufijtë 2-4%.”

Në këtë projektbuxhet përfshihen financimi i politikave specifike me shtrirje të gjerë sociale siç janë proceset e kthimit dhe kompensimit të pronave, kompensimi financiar i ish-të përndjekurve politikë apo mundësimi i zhvillimit të një procesi zgjedhor elektoral sipas standardeve ndërkomëbtare. E ndërsa në paketën fiskale do të kemi ndryshime të legjislacionit fiskal. Do të synohet rritja e bazës së tatueshme, lehtësimi i procedurave administrative, ulja e evazionit fiskal dhe ulja e nivelit të taksave doganore. /tvklan.al