Siguria e vendit dhe lufta kundër krimit ishin disa ndër temat e diskutuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta.

Presidenca ka njoftuar se në këtë mbledhje u diskutua ndër të tjera edhe për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, terrorizmin dhe emigracionin e paligjshëm, emergjencat civile, sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale e aeroportuale, ssi dhe mbrojtjen kibernetike.

Për gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018, informoi Kryeministri. Edi Rama. Për çështjet e tjera informuan anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve.

Gjithashtu Presidenti shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Po kështu, raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, nënvizoi Presidenti Meta, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian.

/tvklan.al