Interesim i ulët për vaksinim nga qytetarët

Autoritetet e Klinikës Infektive në Shkup kanë paralajmëruar se gjatë ditës mund të mbushen kapacitetet e kësaj Klinike me pacientë të infektuar me Covid-19. Mjekët nuk kanë dhënë alarmin, për shkak se pacientët tjerë dërgohen në repartet që janë shndërruar në Covid-qendra, kurse nëse paraqitet presioni më i madh nëpër spitale mund të aktivizohet edhe spitali modular.

Në Maqedoninë e Veriut për momentin shënohen mbi 8.300 raste aktive me Covid-19, kurse Shkupi dhe Manastiri janë qytetet më të goditura me valën e re të koronavirusit.

Në vend ka hyrë në fuqi masa që hyrja në lokale të mbyllura të bëhet vetëm me dy doza të vaksinave dhe me vërtetim nëse e keni kaluar sëmundjen në 45 ditët e fundit.

Autoritetet shpresojnë se kjo masë shtrënguese do të rrisë interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar, për shkak se kohëve të fundit dukshëm ka rënë intensiteti i imunizimit të popullsisë me dozën e parë kurse është shtuar vaksinimi me dozën e tretë.

Sipas MSH-së, deri më 15 Nëntor gjithsej janë vaksinuar 815.523 qytetarë, janë rivaksinuar 785.916, kurse dozën e tretë e kanë marrë 56.349 qytetarë.

Sipas shifrave, 57% e qytetarëve mbi 40 vjeç janë rivaksinuar, 33% e grupmoshës nga 18 deri 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine.

Klan Macedonia