Policia: 5 mijë Euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij

I veshur me xhup të kuq, me maskë të zezë në fytyrë dhe një pistoletë! Këto janë të dhënat paraprake për autorin ende të paidentifikuar të grabitjes së sotme në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë. Policia ka bërë publike foton e kapur nga kamerat e sigurisë, ndërsa bën me dije se ai ka arritur të marrë disa aparate celularë.


Teksa forcat “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të tij dhe në kryeqytet janë ngritur pika kontrolli, Policia e Shtetit jep 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi grabitjen.

Ndërkohë siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, autori nuk ka pasur konfrontim fizik me punonjësin e dyqanit dhe ka vjedhur nën kërcënimin e armës 15 celularë. “Është larguar në drejtim të rrugës Vasil Shanto. Fatmirësisht nuk ka pasur një konfrontim mes autorit i cili besohet se ka qenë i vetëm dhe punonjësit të dyqanit.”

Më poshtë njoftimi zyrtar i bluve:

Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi./tvklan.al