Numri katër i botës në tenist, Daniil Medvedev tha se është i emocionuar që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024 këtë verë dhe është gati që të ndjekë rregullat e të garojë si sportist neutral.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit tha se sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia mund të marrin pjesë në olimpiadë si neutralë pa flamuj, emblema apo himne. Rusi që merr pjesë në turneun e Indian Uells në Kaliforni kujton emocionet që përjetoi në olimpiadën e Tokios tri vite më parë.

“Nëse mundem, do të jem atje! Do të luaj si ndeshje teke, ashtu edhe dyshe. Kur isha në Tokio, përjetova një eksperiencë të mrekullueshme. Ndoshta ishte një nga kujtimet më të mëdha të jetës sime sportive. U habita, sepse në tenis, ne priremi të mendojmë se Grand Slamet janë më të rëndësishme. Për flamurin neutral, unë do të ndjek rregullat! Nëse është nën një flamur neutral, do të luaj nën një të tillë dhe do të përpiqem të bëj paraqitje të mirë dhe sigurisht të fitojmë!”

Sportistët ruse dhe bjellorusë u ndaluan që të marrin pjesë në eventet ndërkombëtare pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ku edhe Bjellorusia u përdor si terren.

Por në mars të vitit të kaluar, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dha ​​një sërë rekomandimesh për federatat ndërkombëtare të sportit për të lejuar kthimin e sportistëve nga këto vende.

Klan News