Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha reaguan pas deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kundër një marrëveshje kundër Reformës në Drejtësi.

I pari që shpërndau postimin e ambasadores ishte Rama, ku shprehte mbështetjen e tij ndaj këtij qëndrimi të ambasadores.

“Jam dakord”, shkruante ai, ndërkohë që postimin e shoqëronte me një shprehje të Shekspirit: Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu.

Më vonë reagoi lideri demokrat, i cili gjithashtu nga Twitteri thoshte se çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor në lidhje me Reformën në Drejtësi nga ky parlament është ilegjitim.

“Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që e përdorin pushtetin për të devijuar dhe për të minuar reformën, për të kontrolluar politikisht dhe për të kapur sistemin e drejtësisë”, shkruante Basha.

Ambasadorja Kim nuk përmendte emra në mesazhin e saj, por tha se shpreson që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, shkruante ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mesazhi i ambasadores erdhi pasi kishte përshëndetur emërimin e tre prokurorëve të rinj të SPAK para Presidentit Ilir Meta. Vetë ambasadorja ishte në Presidencë këtë të enjte për t’u takuar me këshilltarin juridik të Presidentit, Bledar Dervishi./tvklan.al