Nga studio e spektaklit “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, politikania Grida Duma ka dhënë mesazh të rëndësishëm sensibilizues kundër dhunës ndaj grave.

Ajo thotë se djemtë duhet edukuar që në fëmijëri me respektin që duhet të kenë ndaj grave, dhe kjo sjellje do të reflektohet pas disa vitesh.

Alketa Vejsiu: Flitet gjatë gjithë kohës, sidomos në ditën e gruas, për mesazhin kundra dhunës ndaj gruas. Si nëna e një djali, mundet të japësh një mesazh lidhur me këtë? Sepse duhet bërë një punë e mirë me djemtë qëkur ata janë të vegjël, mos të pretendojmë kur janë të rritur dhe pastaj të japim mesazhe sensibilizuese dhe të bëjmë fushata revolucionare. Mos ndoshta është një kohë për të reflektuar? Nënat e djemve, por dhe të vajzave, duhet që në vitet e para të jetës të marrin një pozicion edukues në një drejtim të caktuar.

Grida Duma: Padiskutim që historia ka treguar që djemtë dhe burrat e rëndësishëm në histori kanë ardhur nga nëna të mëdha. Ne në kulturën tonë duhet të pranojmë dhe një gjë tjetër, që herë pas here e avantazhojmë djalin në rritje, duke e lënë atë më të përkëdhelur, dhe të paprekshëm në raport me vajzat apo me këdo vajzë që është në rrethin familjar. Që këtu fillon ngjizja dhe bërja e njeriut. Por një gjë nuk dua ta them në mënyrë klishe dhe s’dua ta them si moralizim të tipit që duhet. Ajo që dua të them është kjo: Nëse një burrë është i lumtur, është i lumtur kur gruaja që ka afër di t’i japë lumturi. Por është e pamundur që ajo t’i japë lumturinë në qoftë se ai në mënyrë reciproke nuk e bën të ndihet mirë. Sikur unë si nënë, për lumturinë e tim biri do të kisha thënë absolutisht, mbaja derën kur shoqja e klasës kalon, tregoji që ke mundësi të jesh i gjerë, mbështjellës, i ngrohtë dhe nuk e ke idenë sa shumë mbrapsht do të japi ajo dhe sa shumë më tepër burrë do ndihesh nesër. Ne duhet t’i tregojmë atyre që kjo është mënyra e tyre për të qenë të lumtur. Sa i përket vajzave, unë e di që në vitet dhe në dekadat që do vijnë, shumë gjëra do ndryshojnë, jo vetëm për gruan shqiptare, por dhe për këdo grua në botë. /tvklan.al