E cilësuar shpesh nga mediat si një grua tekniciene dhe ambicioze, ajo shumë shpejt u bë pjesë e politikës shqiptare, madje edhe në poste të rëndësishme, si zëvendëskryeministre.

Bëhet fjalë për Senida Mesin, e cila është një prej deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë. Ndonëse është pak e njohur në politikë, Mesi i ka fillesat në këtë fushë që në vitin 2015-n, kur u bë edhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Shkodër.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ajo tregoi se si e mori propozimin për postin e zëvendëskryeministres.

“Lajmi që do të isha zëvendëskryeministre ishte surprizë për mua. Unë pranova të isha në listën e kandidatëve për Qarkun Shkodër me idenë e një kontributi. Emërimi im në postin e zëvendëskryeministres ishte diçka që se prisja dhe nuk është se e kisha objektiv në vetvete. Kryeministri më dha një mundësi të tillë, e pranova me kënaqësi, por edhe përgjegjësia ishte shumë e madhe. Pozicione të tilla janë pozicione momenti që mund të zgjasin një vit apo katër vite”.

Gjatë emisionit, Mesi tregoi po ashtu se fillimisht është përfshirë në politikë në vitin 2015 gjatë zgjedhjeve lokale në Shkodër për të kontribuar për qytetin e saj.

“Vjen një pikë në karrierë ku përveç asaj ç’ka jep në një fushë të caktuar do të investosh në një drejtim tjetër. Përfshirja ime e parë në politikë ka qenë në vitin 2015 në zgjedhjet lokale në Shkodër. U krijua një ekip që deri diku nuk kishte pasur lidhje me politikën dhe që dëshironte të kontribuonte për qytetin e Shkodrës”,

tha ish-zëvendëskryeministrja.

/tvklan.al