Pas humbjes turpëruese 8 me 2 nga Bayern Munich në çerekfinalet e Champions League, në skuadrën e Barcelonës gjërat duket se nuk janë të qeta. Pas zërave se futbollistët kanë kërkuar largimin e trajnerit, së fundmi në mediat botërore flitet se ylli i “Camp Nou”, Lionel Messi dëshiron të largohet nga klubi.

Sipas këtyre njoftimeve, Messi ka vënë në dijeni drejtuesit e Barcelonës se dëshiron të largohet nga skuadra që këtë verë. Kontrata e argjentasit skadon në Qershor të vitit 2021, por mesa duket Messi nuk dëshiron që të vazhdojë të presë. Lionel Messi e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet, por është i pavendosur për të ardhmen e tij. Pas këtyre lajmeve, Barcelona ka reaguar duke mohuar një gjë të tillë.

Në rast të një largimi, Inter duket se është skuadra favorite për të mirëpritur në radhët e saj Lionel Messin.

Ndërkohë, situata në ekipin e Barcelonës është e nderë. Gjithnjë e më shumë përforcohen zërat se trajneri Quique Setien dhe drejtori sportiv Eric Abidal do të largohen. Përflitet se Ronald Koeman do të jetë trajneri i ri. /tvklan.al