“Qytetarët të respektojnë të gjitha udhëzimet, jemi në momente kritike”

Këto pamje që ofronin rrugët e kryeqytetit sot e kanë detyruar Presidentin Ilir Meta të bëjë një apel të fortë drejtuar shqiptarëve, të cilët në vend të daljes për nevoja emergjente, kanë nisur shkujdesur shëtitjet a thua se janë në ditë pushimi.

“Çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale jo vetëm për ata, por edhe për familjarët e tyre. Ne po e shohim se çfarë po ndodh në Italinë fqinje, që është një vend shumë i zhvilluar, me një sistem shëndetësor shumë herë më të konsoliduar, ndaj nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente. Është mjaft e rëndësishme që të respektohen të gjitha udhëzimet e autoriteteve të shëndetit publik, por edhe të gjitha kufizimet që janë vendosur, sepse ato janë në interes të çdo qytetari. Nuk janë një privim. Nuk duhen konsideruar si një privim, por si një mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike.”

Pavarësisht daljes së ushtrisë në terren për menaxhimin e situatës Presidenti Meta thotë se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen pasi në këtë betejë duhet bashkëpunim.

“Duhet të kuptojmë se Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë, janë në funksion të garantimit të një rregulli, të një disipline që i mbron qytetarët nga pakujdesia. Kjo situatë nuk mund të përballohet vetëm me doktorë, me mjekë, me infermierë, pasi kërkon një angazhim të të gjitha strukturave shtetërore. Besoj se çdo ditë do të përmirësohet mekanizmi reagues, parandalues, izolues dhe për këtë duhet bashkëpunimi i të gjithëve, reflektimi i të gjithëve, dhe solidariteti i të gjithëve”.

Mesazhin e tij, kreu i shtetit e dha gjatë fushatës së sensibilizimit për të dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Tv Klan