“Të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”

Qeveria ka vendosur  që të kalojë pronësinë e truallit të Teatrit Kombëtar nga ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës. Vendimi i Këshillit të ministrave i marrë të premten e 8 Majit është publikuar në fletoren zyrtare.

Aty specifikohet se trualli do të përdoret për ndërtimin e një Teatri të ri dhe se Bashkisë së Tiranës i ndalohet të ndryshojë këtë destinacion apo t’ua japë në përdorim të tretëve.

Por presidenti i Republikës Ilir Meta e vlerëson si një procedure “ekstra ligjore” VKM që tanimë e kalon përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

Ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”.

Meta i kujton maxhorancës se duhet pritur vendimi i Kushtetueses.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare”.

Presidenti Meta, i kujton të gjithë organeve shtetërore përfshi këtu dhe Këshillin e Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtpërdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

Apeli i Metës për qeverinë dhe bashkinë e Tiranës është të marrin parasysh se çdo hap për shembjen e Teatrit, do të ishte në dhunim të kushtetutës.

Në Ditën e Europës u bëj thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar”.

Përmes një tjetër postimi kreu i shteti ka kërcënuar se nëse nuk do të ketë asnjë tërheqje nga maxhoranca ai do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për një tjetër padi jo vetëm për shpalljen antikushtetuese të ligjit special por dhe kësaj VKM.

Reagimi i vetëm ka qenë ai i kryebashkiakut Veliaj i cili pavarësisht se nuk ka përmendur emra dhe çështje konkrete, referenca është e qartë që ka lidhje me deklaratat e presidentit.

“Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!”

Këto replika duken si rindezje e përplasjes mes maxhoracës dhe presidentit, pikërisht kur mendohej se mes tyre ishte vendosur paqe edhe pse e brishtë.

Tv Klan