Kreu i Shtetit: Me hir apo me pahir do kalojmë testin e 25 prillit

Nga Korça ku zgjodhi të urojë ditën dedikuar mësuesve, kreu i shtetit foli për zgjedhjet në 25 prill të cilat i konsideroi si moment kyç për procesin e integrimit.

Teksa ripërsëriti thirrjen e ndërkombëtarëve për figura të pastra në listat e kandidatëve, presidenti Meta tha se zgjedhjet janë test që duhet kaluar me hir apo me pahir.

“Sa më shumë të rinj të arsimuar dhe patriotë, sa më shumë figura të pastra dhe ju lutem shumë sa më pak biznesmenë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

Është një moment kyç për të ardhmen europiane dhe krykushti ka qenë prej kohësh çështja e zgjedhjeve dhe tani mbeten vetëm pak javë për të kaluar një test madhor që jam i sigurt që do ta kalojmë me hir e me pahir”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta u bëri thirrje institucioneve të krijojnë infrastrukturën e duhur për t’u dhënë mundësi personave të infektuar me Covid-19 të japin votën në 25 prill.

“Mos harrojmë që Kosova ka bërë zgjedhje në kushte shumë të vështira, Maqedonia gjithashtu ka bërë. Të gjejmë rrugën më praktike e cila edhe ruan shëndetin e çdo qytetari dhe nuk privon asnjë qytear të japë votën e tij”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta edhe më herët ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë indiferent deri në 25 prill, madje ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, nëse shumica socialiste fiton 74 mandate pa prekur votën e lirë.

Klan News