Shoferi i një makine të vogël transporti ka dalë nga rruga duke përfunduar “mysafir i paftuar” nëpërmjet çatisë në një shtëpi private. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar në Kocaeli të Turqisë. Në shtëpi ndodhej vetëm një 22-vjeçar, i cili fatmirësisht shpëtoi i padëmtuar.

Pronari i shtëpisë dhe babai i të riut, Ibrahim Adali dhe bashkëshortja e tij, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi, ngjarjen e panë vetëm mëngjesin e së hënës. Për mediat, ai tha se kjo ishte hera e dytë në 6 muaj që i ndodhte diçka e tillë dhe se shtëpinë sapo e kishte riparuar.

“Edhe 6 muaj më parë më ka hyrë një makinë në shtëpi. E kemi riparuar vetëm 2 muaj më parë. U shokuam kur e pamë shtëpinë në këtë gjendje dhe nuk e di si do t’ia bëjmë për ta riparuar. Fatmirësisht nuk ka humbje në njerëz”

, tha Adali, duke i kërkuar autoriteteve të gjejnë një zgjidhje duke marrë masa parandaluese. Shoferi i mjetit ndërkohë është arrestuar deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al