Protestat studentore në mbështetje të palestinezëve të Rripit të Gazës, që po vuajnë prej gati 7 muajsh me luftën izraelite kundër HAMAS-it zgjerojnë nga veriu në jug të Shteteve të Bashkuara.

Qindra manifestues bllokuan ceremonitë e diplomimit në Universitetin e Kalifornisë, duke detyruar drejtuesit e institucionit të lartë arsimor ta shtyjë atë për një afat të pacaktuar.

Studentët dhe mbështetës të tjerë të kauzës palestineze janë kundër ndihmës financiare ushtarake që administrata Biden po i jep Izraelit.

Brenda kampusit, mbështetëtsit e Izraelit zhvilluan një kundër-manifestim me parrullat “t’ju vijë turp” drejtuar protestuesve pro-palestinezë. Që prej fundjavës së kaluar, në protestat pro palestineze që nisën në Nju Jork, janë arrestuar qindra protestues.

Ndërkaq, në kufijtë e Rripit të Gazës ka nisur grumbullimi i tankeve, që sipas agjencisë Reuters, mund të jenë duke u përgatitur për nisjen e sulmit tokësor në Rafah.

Qyteti është bastioni i fundit i paspastruar nga Hamasi. Megjithatë, Uashingtoni që i dha ndihmën financiare 26 miliardëshe Izraelit është kategorikisht kundër sulmit, pasi rrezikohet jeta e mbi 1.5 milionë banorëve të Rripit të Gazës të strehuar atje, pas nisjes së luftës në këto territore.

Tv Klan