Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis tha të mërkurën se rasti i Fredi Belerit duhet të shikohet si një shqetësim europian dhe jo si çështje dypalëshe mes dy vendeve në Ballkan.

“Kjo nuk është (çështje) bilaterale. Nuk është dypalëshe nëse një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian respekton parimet e shtetit ligjor dhe të drejtat politike të qytetarëve të vet. Është një çështje europiane dhe duhet ta perceptojmë si të tillë që ta theksojmë në çdo forum”, tha ai për radion Skai.

Ministri grek kritikoi ndër të tjera mandatin e tejzgjatur të Jorgo Goros në krye të bashkisë gati një vit pas zgjedhjeve lokale ku u mund nga Beleri.

Ai e përshkroi këtë situatë si “një fyerje për çdo koncept europian të shtetit të së drejtës”.

Ndër të tjera, mediat greke raportojnë edhe lajmin e ditës së sotme se Goro ka dhënë dorëheqjen nga detyrat e tij pasi Gjykata e Posaçme vendosi arrestimin e tij për shpërdorim detyre./tvklan.al