Nuk mundi t’i mbante lotët teksa lexoi me radhë emrat e jetëve që u shuan në mënyrë tragjike nga tërmeti i së martës. Deklarata për shtyp e Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë orëve të pasdites ishte vërtetë prekëse.

Deri në këto momente, numri i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 30, prej të cilëve, 15 në Thumanë, 14 në Durrës dhe 1 në Lezhë. Nën rrënoja ka ende njerëz dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë veniten shpresat për të mbijetuar.

Komunikimin e kësaj të mërkure, Xhaçka e konsideroi si më të vështirin që kishte bërë ndonjëherë më parë.

“Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit. Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë toka lëkundet”.

Ministrja theksoi se ende nuk ka kaluar faza e rrezikut për shkak të godinave të dëmtuara që mund të jenë në rrezik shembjeje./tvklan.al