Të ngjisësh postera nëpër mure, prish rendin publik. Dënimi tani, shumë vjet pas pëfundimit të luftës, është ndryshuar. Nuk të lënë më pa bukë, por të shoqërojnë për në Komisariatin e Policisë. Forcat Policore të Ndërhyrjes së Shpejtë, në orët e paradites, kanë ndaluar Dorian Veliun, një aktivist të lëvizjes “MJAFT”, pasi po ngjiste postrat që lajmëronin protestën e madhe të ditës së shtunë të lëvizjes “MJAFT”. Në këtë protestë do të kërkohet dorëheqja e ministrit Poçi, si shkaktari kryesor për aksidentin e Fushë- Arrëzit, si dhe për të dënuar papërgjegjshmërinë e kryeministrit Nano, i cili ditën e zisë kombëtare për nder të të rinjve kosovarë që humbën jetën në rrugët e Shqipërisë festonte në një lokal nate në Greqi. Forcat Policore kanë grisur të gjitha posterat duke lënë në trotuare provat e përleshjes së madhe me copat e letrave. Kryetari i lëvizjes “MJAFT” Erion Veliaj pohon se ditët e fundit është rritur mjaft presioni i shtetit ndaj aktivistëve të kësaj lëvizjeje.

Erion Veliaj: “Ndërkohë që kompani dhe fugonë të policisë, Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë angazhohen kaq agresisvisht në grisjen e posterave të “MJAFT”-it, themi vaj medet ku jemi me taksat tona që i paguajmë policisë. Nuk është se s’kemi probleme me krimin apo me qarkullimin rrugor ku po vdesin njerëz çdo ditë. Kjo tregon një shenjë nervoziteti, fakti që tatimet vijnë menjëherë pasi kanë ardhur dy ditë; është prap një shenjë nervoziteti fakti që policat na drejtojnë dhe ku ecim në rrugë tregon që nuk po mban më ujë kjo situatë.”

Veliaj shprehet se, me gjithë presionin që po ushtrohet mbi ta, ata janë të vendosur për të vazhduar protestën e tyre të radhës.

Erion Veliaj: “Kemi një arsye shumë të fortë për të protestuar nesër: një është për çështjen e gjendjes së qarkullimit rrugor. Është fatkeqësi që në Shqipëri vdes mesatarisht një person në ditë, ndonjëherë më shumë se sa vdesin Në Irak ndonjë ditë të bukur. Është në interesin tonë të rregullojmë sistemin e rrugëve dhe të kërkojmë dorëheqjen e zotit Spartak Poçi. Ka qenë krejtësisht i papërgjegjshëm në mënyrën se si ka siguruar qytetarët nëpër rrugët e Shqipërisë dhe po kështu të kryeministrit Nano. Besoj që shumica e qytetarëve të Shqipërisë duan të ruajnë dinjitetin e tyre dhe nuk duan të ndajnë një turp me një person kaq të papërgjegjshëm. Nëse përgjigjja është: “unë bëj atë që bëjnë gjimnazistët”. ky është edhe problemi, kemi një kryeministër që ende mendon dhe funksionon si një gjimnazist.”

Ndërkaq, pasdite, disa aktivistë të lëvizjes “MJAFT” kanë shpalosur në një nga pallatet në bulevardin “Bajram Curri” një banderolë me mesazhin drejtuar kryeministrit Nano. /tvklan.al