Mjekja anesteziste reanimacioni Krisli Serani ka qenë e ftuar në emisionin “Rudina”, ku ka folur më gjatë për eksperiencën si nënë shtatzënë gjatë pandemisë së Covid-19 dhe punën e palodhshme me pacientët e infektuar me koronavirus, pavarësisht gjendjes së saj.

Ndër të tjera ajo ka treguar edhe momentet më të vështira që është përballur gjatë kësaj periudhe.

Rudina Magjistari: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë kësaj periudhe në punën tënde?

Krisli Serani: Nuk ka pasur asnjë moment i vëshirë. Moment i vështirë ishte kur ne humbnim betejat me pacientët. Ngarkesa psikologjike dhe emocionale në ato momente është e vështirë jo vetëm për mua, por edhe për gjithë stafin atje.

Rudina Magjistari: Si i ke përballuar t’i këto situata?

Krisli Serani: Profesioni jonë ka shumë beteja të humbura, ka edhe shumë beteja të fituara, por nuk e di për çfarë arsye ne na ngelen në mendje dhe peng në zemër ato momente të këqija. Ashtu siç ka edhe shumë momente të bukura, ku një pacient rëndë që ti e ke ndjekur, i ke shërbyer, arrin të dalë nga spitali. Së bashku me kolegët aty qajmë dhe qeshim bashkë.

Rudina Magjistari: Po kur ktheheshe në shtëpi?

Krisli Serani: Kam qenë e izoluar, kam jetuar vetëm në shtëpi me qira këtu në Tiranë sepse im shoq vazhdon të jetë ende në Francë. Për arsye të pandemisë nuk mundi të vinte dhe ishte shumë e vështirë që nuk kam patur pranë njerëzit që unë dua, por të qëndruarit në punë me kolegët e mi ishte shumë gjë e thjeshtë dhe e bukur. /tvklan.al