Viti që lamë pas ishte një vit tepër i vështirë  ku përballja me virusin ishte një sfidë me vete që e përballuam me sukses dhe dalëngadalë iu rikthyem normalitetit. Situata epidemiologjike aktualisht është e stabilizuar, ku rastet e shtrimeve në spital nuk janë më të shifrave të larta, dhe numri i vdekjeve ka rënë, madje prej disa ditësh nuk janë raportuar viktime.

Mirëpo ka disa kohë që qarkullon lajmi për një variant tjetër të Covid-19, atë të variantit Delta dhe po ngatërrohet me gripin e verës ku simptomat janë  pothuajse të njëjta. Për të folur më gjatë rreth këtij varianti dhe shenjat klinike që shfaq tek të prekurit, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ka qenë mjeku infeksionit Gent Stroni i cili tregoi dhe simptomat që mund të sinjalizojnë se jemi të infektuar nga varianti Delta.

“Kur është folur për Alfën dhe Betën ne e nisnim me humbje shije, nuhatje e me radhë. Aktualisht ne nuk i kemi këto tek Delta, por ne kemi një dhimbje koke, kemi raninozë ose hundë pra rufë. Kemi dhimbje fyti dhe më mbrapa mbivendoset dhe kolla. Këto në fakt janë shenja që janë pothuajse në të gjitha virozat, qofshin këto edhe virozat e stinës, megjithatë këtu duhet bërë dhe diferencimi.

Nëse ne shikojmë që përhapja e kësaj viroze është e shpejtë në shumë persona në të njëjtën kohë, atëhere detyrimisht duhet të ndalojmë për të parë dhe për të bërë dedektimin, analizimin dhe më mbrapa edhe gjetjen e variantit”, është shprehur Gent Stroni. /tvklan.al