Një konsulente spitalore në Birmingham ka lindur binjakë ndërsa ishte në gjendje kome nga koronavirusi. Lindja e foshnjeve të saj është përshkruar nga mjekët si “mrekulli”.

Perpetual Uke është konsulente e reumatologjisë. Ajo kishte dalë pozitive me Covid-19 dhe ishte dërguar në spital ku gjendja e saj u përkeqësua dhe ra në gjendje kome. Foshnjet lindën në javën e 26-të të shtatzënisë me prerje cezariane, kur ajo ishte pa vetëdije.

Në momentin që Uke ishte zgjuar nga koma dhe nuk kishte parë barkun e saj, ishte kapluar nga frika se kishte humbur foshnjat. Por, një vajzë dhe një djalë, të cilët peshonin vetëm 765g, tashmë ishin në jetë. Foshnjet ishin dërguar në kujdes intensiv, ndërsa nëna vazhdoi rikuperimin në spital.

Tani konsulentja është shëruar dhe është bashkuar me bashkëshortin e saj, binjakët dhe dy fëmijët e tjerë, 12 dhe 11 vjeç./tvklan.al