Për herë të parë pas publikimit të raportit të plotë të “Russiagate”, prokurori special Robert Mueller i cili ndoqi hetimet, jep sqarimin e tij. Mueller hedh më shumë hije lidhur me përfshirjen e Donald Trump në sulmimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Nëse ne do të kishim sigurinë se presidenti nuk ka kryer krim, ne do ta kishim thënë këtë. Ne megjithatë nuk mund të bëjmë një përcaktim nëse presidenti ka bërë ndonjë krim”.

Procesi më i rëndësishëm hetimor në dekadat e fundit në SHBA, përflitej se do të çonte në shkarkimin e presidentit. Por Mueller sqaroi se në këtë pikë i ka pasur duart e lidhura.

“Legjislacioni i Departamentit të Drejtësisë përcakton se një president nuk mund të akuzohet për një krim federal gjatë kohës që ai është në detyrë. Kjo është jokushtetuese. Prokurori Special është pjesë e Departamentit të Drejtësisë dhe i nënshtrohet legjislacionit të këtij Departamenti. Pra të akuzonim presidentin për një krim nuk ishte një mundësi që ne mund të merrnim parasysh”.

Të menjëhershme ishin reagimet e kandidatëve demokratë për presidencialet e 2020-s. Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris dhe ajo e Massachusetts, Elizabeth Warren, e cilësuan deklaratën e Muellerit një mesazh drejtuar Kongresit, për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Tv Klan