Projektligji: 1 vit burg kush deformon imazhin dhe deklaratat e zyrtarëve 

Kjo është një mënyrë sesi qytetarët shpesh ironizojnë apo reagojnë ndaj politikanëve apo qeverisë. Por kjo formë kritike së shpejti mund të jetë e paligjshme dhe për një meme të tillë mund të përfundosh në burg.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dorëzuar në Kuvend draftin me ndryshimet e reja në Kodin Penal, që ndalon me ligj memet, përmes të cilave bëhet ironi në rrjetet sociale, si dhe penalizon me 1 vit burg ata që publikojnë imazhe pa leje.

Ky propozim i Gjonajt ndalon montazhin e pamjeve të një personi pa pëlqimin e tij. “Memet” që publikohen në rrjetet sociale kryesisht në Facebook, kanë ndihmuar shqiptarët t’i marrin me humor dhe sportivitet abuzimet që politika bën me ta. Apo qoftë edhe të bëjnë humor apo ironi me figura të ndryshme politike dhe jo vetëm.

Konkretisht në nenin 238 të ligjit të propozuar thuhet se publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi, pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se është i tillë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.

Po ashtu ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj. Priten të tjera argumente nga socialistët për nevojën e këtij ligji dhe faktin se a e shkel ky draft të drejtën dhe lirinë e shprehjes në vend.

Një nga revistat më të njohura në Europë, Charlie Hebdo, ka zgjedhur karikaturën, si mjet për të ironizuar zyrtarët e lartë. Madje edhe simbolet fetare.

Duke shkaktuar shpesh edhe sulme tragjike për shkak të ironisë me profetin Muhamed. Megjithatë Presidenti francez ka rezervuar vazhdimisht mbetjen për revistën, në emër të lirisë së medias.

Klan Plus