Tirana feston titullin pa tifozë

Një titull pa festë me tifozët, do të jetë ajo e Tiranës. Protokollet e sigurisë nuk do të lejojnë mbështetësit bardheblu as përreth stadiumit Air Albania dhe për këtë policia e kryeqytetit në një njoftim të saj thotë se do të qëndrojë në gatishmëri.

Sfida e fundit e bardhebluve për këtë kampionat do të jetë ndaj Bylisit, sot në orën 19:00. Policia nuk do të lejojë asnjë grumbullim edhe në sheshe. Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe Federata, sipas protokollit sanitar. Prej orës 16:00 do të ketë bllokim të disa rrugëve rreth stadiumit ku nuk do të lejohet qarkullimi as i makinave dhe as i këmbësorëve.

Gjithsesi ngjyrat dhe flamujt bardheblu me stemën e 100 vjetorit të themelimit janë shfaqur në bulevardin kryesor. Festa e parashikuar e klubit nuk do të zhvillohet, por ceremonia e dorëzimit të titullit do të zhvillohet në Air Albania.

Po sot do të luhen edhe përballjet e tjera të javës së fundit që do të nisin në orën 17:45 Luftëtari-Kukësi dhe Vllaznia-Flamurtari. Gjithçka për këtë sezon mbyllet me sfidën Skënderbeu-Partizani që nis në 20:45 në Korçë.

Tv Klan