Ambasada e SHBA: Votimi në Kuvend nuk shkeli “5 qershorin”



Ambasada e SHBA: Votimi në Kuvend nuk shkeli “5 qershorin”

17:36 05/10/2020

BE: Keqardhje që nuk u arrit asnjë kompromis

Për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga parlamenti nuk shkeli marrëveshjen e 5 qershorit. Në një deklaratë të selisë diplomatike në rrugën e Elbasanit shprehet ndërkohë keqardhje që shumica dështoi të mbante premtimin për të gjetur konsensus në këshillin politik.

Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik”, shkruan ambasada e SHBA.

Ambasada amerikane thotë se që nga arritja e marrëveshjes së 5 qershorit u ka bërë të qartë palëve se pakti duhet të respektohej dhe se çfarëdo masash shtesë duheshin shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme, transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Deklarata nënvizon pritshmëritë nga Shqipëria si një vend anëtar i NATO, aspirant për në BE dhe kryesues i OSBE.

Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë-duke filluar, por jo vetëm ata në pushtet-për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme”, vijon deklarata e ambasadës.

Delegacioni i BE-së ka shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik përpara se ndryshimet të votoheshin në parlament. Sipas zyrës së BE-së në Shqipëri amendimet në kodin elektoral nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.

BE nxit palët për përmirësimin e dialogut dhe zbatimin e reformave të parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit, si e vetmja mënyrë që do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit.

Një deklaratë ka bërë edhe ambasada Britanike në Tiranë që thotë se marrëveshja e 5 qershorit ishte një hap i rëndësishëm përpara, i arritur përmes dialogut dhe negociatave. Selia britanike thotë se shpreh keqardhje që ndryshimet janë bërë pa dakordësinë e Këshillit Politik dhe pa shteruar përpjekjet për të gjetur konsensus.

Tv Klan





Të ngjashme