Mund të aplikohet në zyrën më të afërt “Aleat”, personat mbi 75 vjeç do t’i kenë kartat për gjithë jetën

Emisioni investigativ “Stop” ka trajtuar një sërë problematikash, ku të moshuar të ndryshëm, pasi i ka kaluar afati 10-vjecçar për karta, e kanë pasur të vështirë të riaplikojnë, për arsye fizike dhe shëndetësore, në zyrat e Aleatit.

Për këtë arsye shumica e të moshuarve nuk kanë marrë dot as pensionin.

Pas sensibilizimit të “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme ka hartuar një projektligj të ri për të gjithë të moshuarit mbi 75-vjeç.

Drejtori Bledar Doraci shprehet se kjo kategori do të aplikojë për kartën e re, që do ta ketë deri në fund të jetës.

Bledar Doraci: Është një projektligj që përqaset me standardet e disa vendeve të Bashkimit Europian, heqjen tashmë të afatit të letërnjoftimit elektronik apo kartave ID për kategorinë e pensionistëve mbi moshën 75-vjeç, i jep zgjidhje përfundimisht kësaj kategorie. Kjo kategori shtetasish tashmë nuk do të kenë më pengesa, ashtu siç ju e keni trajtuar me kamerën tuaj, në emisionin tuaj. Ata tashmë pajisen me letërnjoftimin elektronik pasi kuvendi ta miratojë dhe do jetë pa afat. Tashmë projektligji ka kaluar nga qeveria dhe është futur në procedurën parlamentare, besoj brenda këtij sezoni parlamentar, kështu që besoj në shtator, edhe pas botimit në Fletoren Zyrtare, do të t’u vijë në ndihmë kësaj kategorie.

Lehtësimi nga kjo ministri nuk vjen vetëm për ata që i përkasin moshës 75 vjeç e lart, por për të gjithë ne. Duke parë fluksin e madh të personave që aplikojnë tek njësitë e tyre, është mundësuar që çdo person të aplikojë për kartë identiteti, apo pasaportë në çdo zyrë të “Aleat”, pa qenë banor i njësisë përkatëse.

Bledar Doraci: Përveç kësaj risie që Ministria e Brendshme dhe qeveria shqiptare po ofron për pensionistët, një tjetër thjeshtëzim që ofron gjendja civile dhe kompania koncensionare është që kushdo shtetas që aplikon për letërnjoftimin elektronik, riaplikon, mund të aplikojë në zyrën më të afërt të shërbimit të gjendjes civile “Aleat”.

Gazetarja: Nuk është e thënë të aplikojë tek njësia e vet, mund të aplikojë kudo ku ndodhet.

Bledar Doraci: Absolutisht ai mund të aplikojë aty ku ai ndodhet. Këtë e kemi bërë që të jetë një shërbim sa më i thjeshtë, pranë qytetarit dhe me sa më pak sorollatje.