Sot po zhvillohet gjyqi ndaj çështjes “Babale” ku pritet që gjykata të japë edhe vendimin. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një prononcim të shkurtër për mediat deklaroi se ka paraqitur prova të reja.

Sipas ish-deputetit, prokuroria duhet të ndryshojë mendim pas këtyre fakteve që u paraqitën. Sipas Salianjit, organi i akuzës shmang qëllimisht komunikimin e tij me gazetarin Jetmir Olldashi.

“Ka vetëm urdhër politik për të ndjekur linjën logjike të kryeministrit. Prokuroria me faktet e reja dhe provat e reja që paraqitëm duhet të kishte ndryshuar qëndrim edhe për faktin që dy prokurorët e parë që janë marrë me këtë çështje janë o të korruptuar o të lidhur me krimin dhe janë përjashtuar nga sistemi nga Vettingu. Prokuroria nuk ka asnjë provë tjetër, por komunikimin tim me Olldashin të datës 18 e shmang qëllimisht. Nuk kam qenë unë që e kam bërë njohjen mes gazetarit Jetmir Olldashi dhe “Babales” por ka qenë Jetmir Olldashi që më ka komunikuar mua. Është një çështje që është bërë për të tërhequr në llum denoncuesit sepse janë me pushtet. Të presim dhe të shohim se si për një periudhë kaq të shkurtër, pavarësisht provave të reja gjykata të marrë vendim”, tha Salianji. /tvklan.al