Milan ofron mini-kontratë për Donnarumma, Juventus pret të përfitojë

Juventus shumë pranë Gianluigi Donnarumma. Skuadra torineze është gati për të përfituar nga mos-marrëveshjet mes portierit dhe Milanit dhe tani ka nisur puna e përpilimit të një oferte në drejtim të 22-vjeçarit. Kushtet ekonomike që pretendon Donnarumma janë të arritshme nga bardhezinjtë, me portierin që do firmoste si futbollist i lirë.

Donnarumma është në skadencë kontrate me kuqezinjtë në fund të sezonit aktual dhe tratativat për rinovim duket se kanë mbetur pezull. Milan shpreson ta mbajë 22-vjeçarin edhe për të tjerë sezone në “San Siro”, megjithatë Donnarumma ka edhe dy pika që duhet të përmbushen: kualifikimi në Champions League dhe një pagë prej 10 milionë euro plus bonuse në sezon.

Pika që Milan nuk duket se i përmbush, pasi gara për në Champions League është ndërlikuar së tepërmi, ndërsa Milan nuk ofron më shumë se 8 milionë euro përfshirë bonuset.

Kjo ka shtyrë skuadrën e Milanit që të mendojë një mini-rinovim vjetor prej 7 milionë euro plus një milion që do shkonte në formë bonusi, ku pikë kryesore do jetë kualifikimi në Ligën e Kampionëve. Milan do rinovonte me Donnarumma me klauzolë largimi 30 milionë euro, që do aplikohej në rast se Milani nuk kualifikohet në garën më prestigjioze të kontinentit.

Klan News