VMRO-DPMNE akuza presidentit se shkeli Kushtetutën

Numërimi i 20 ditëve për formimin e kabinetit të ri qeveritar, me program dhe zgjidhje kadrovike ka filluar dje, kur liderët e LSDM-së dhe BDI-së, dy partitë me numrin më të madh të deputetëve në bllokun politik maqedonas dhe atë shqiptar, pas zgjedhjeve të para një muaji, u takuan edhe një herë. Përveç që kanë biseduar në mënyrë “konstruktive”, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti nuk dhanë detaje të tjera. Sot mandatari, në rrjetet sociale ka shkruar se vjen periudhë e punës së intensifikuar në plan të brendshëm. 

“Secili prej nesh me angazhim dyfish më të madh dhe përgjegjësi dyfish më të madhe. Kjo do të sjellë sukses për gjithë popullin dhe për atdheun. Maqedonia e Veriut do të ketë qeveri që do ta ndjekë drejtimin e qartë, për të cilin është e përcaktuar shumica e qytetarëve – rruga evropiane, rruga e ekonomisë dhe e drejtësisë, rruga drejt prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë.” 

Nga BDI mbeten në përmbajtjen e njoftimit të përbashkët, së pari pas ftohjes së marrëdhënieve me partnerin e deritanishëm të koalicionit, pasiqë Zaev në periudhën parazgjedhore e dërgonte partinë e Ali Ahmetit në opozitë.

“Konsultimet në nivele të ndryshme midis BDI dhe LSDM vazhdojnë edhe sot. Parimet mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme janë konfirmuar dhe ato janë komunikuar para opinionit disa herë”.

Para se LSDM-ja dhe BDI-ja t’i vazhdojnë bisedimet gjatë kësaj fundjave, siç është paralajmëruar, VMRO-DPMNE edhe më tej e akuzon presidentin Stevo Pendarovski se mandatin e ka dorëzuar jashtë rregullave, përkatësisht pa fakte se Zaev ka shumicën e deputetëve në Kuvend. 

“Në mënyrë antikushtetuese Stevo Pendaroski ia ka dhënë mandatin deputetit, përkatësisht e ka uzurpuar në duart e deputetit Zoran Zaev. Gjatë dy javëve të kaluara, Zaev disa herë ka thënë se ka shumicë, por menjëherë vetë ata demuantuan, Për VMRO-DPMNE-në të gjitha opsionet janë të hapura në periudhën që vjen.” 

Ashtu siç janë të ndara partitë politike, në mënyrë të ngjashme janë të ndarë edhe ekspertët rreth asaj nëse dhënia e mandatit një lideri që ende nuk ka nënshkrime të 61 deputetëve në dorë, por negocion për këtë, është e drejtë ose jo. Përjashtimet dhe interpretimet elastike të Kushtetutës dhe të ligjeve në të kaluarën vetëm e vështirësojnë pozitën e këshilltarëve juridike të palëve kundërshtare tani.

Tv Klan