Nëna: Djali merr drogë, sillet në mënyrë agresive me mua


Nëna: Djali merr drogë, sillet në mënyrë agresive me mua

14:10 08/07/2020

Një nënë e 3 fëmijëve rrëfeu në programin “Historia ime”, në TV Klan historinë e vështirë të jetës së saj. Nga martesa e parë ajo ka dy djem, ndërsa nga martesa e dytë vetëm një djalë. Problematika e saj më e madhe lidhet me djalin e dytë.

Dashuri rrëfeu se djali u përjashtu nga gjimnazi sepse nuk i frekuentonte orët e mësimit, shoqërohej me shokë jo të mirë dhe ishte tepër i shpërqëndruar.

Ajo kuptoi se kur djali i saj ishte 15 vjeç merrte drogë. Ai filloi të shiste edhe gjërat e shtëpisë që të mund të siguronte lekët që i duheshin për ta blerë atë.

Pavarësisht se nëna e shtroi edhe në një klinikë rehabilitimi, ai u largua prej saj.  Nëna e 3 fëmijëve tregoi se djali nuk është agresiv me të tjerët, por vetëm me të.

Mirela Milori: Kur filloi djali i dytë drogën?

Dashuri: Ai që kur u shkëput nga shkolla, që filloi shkollën e mesme. Ai mund ta kishte filuar edhe më përpara, nuk jam e bindur, por atëherë e pashë që filloi. Filloi të lëvizte gjëra nga shtëpia.

Mirela Milori: Në ç’kuptim? Fillloi t’i shiste për të bërë lekët për të blerë…?

Dashuri: Po! Merrte gjëra nga shtëpia.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte kur filloi kjo situatë?

Dashuri: Ishte 15 vjeç!

Mirela Milori: Ti kur e kuptove që ai merrte…?

Dashuri: Unë e kuptoja, por prapë thosha, do bëjë ndonjë punë, i duhen, do t’i prishë, nuk kam unë t’i jap, nuk ngopet.

Mirela Milori: Po nuk mendoje për drogë?

Dashuri: Jo, as nuk më shkonte mendja! Pastaj e zbulova.

Mirela Milori: E pe me shoqëri jo të mirë apo i gjete substancën?

Dashuri: Dyshoja se më thoshin, jo i skuqen sytë, është i papërqëndruar, dukej, jepte shenjat. Vonesat në shtëpi, se vinte vonë. Edhe e kuptova.

Mirela Milori: Fole me të?

Dashuri: Fola me të, e solla madje edhe këtu tek spitali. E shtrova dhe në spital, ishte e pamundur. Më ndihmoi një infermiere, e dërguam në Gjilan të Kosovës. Atje do t’i kishte të gjitha kushtet, me të ngrënë, me të pirë, do mësonte një zanat.

Mirela Milori: Një klinikë rehabilituese le të themi, ku shkojnë të gjithë njerëzit që duan të lënë drogën, të largohen nga varësia.

Dashuri: Po!

Mirela Milori: Si u ndje Arbri atje?

Dashuri: Arbri pas 3 javësh iku, erdhi në Tiranë.

Mirela Milori: Bëri ndonjë gjë në Gjilan, që u kthye apo nuk u përshtat dot?

Dashuri: Jo, nuk bëri, tha nuk rri dot, nuk kam durim. Nuk është agresiv Arbri. Agresiv vetëm me mua është Arbri. Me mua të gjitha i ka bërë, edhe më ka goditur. Po unë ja pranoj, ja fal, jam mama. Unë edhe sot që jam këtu, jam me urdhër mbrojtje nga Arbri. Edhe unë urdhërin e mbrojtjes e kam bërë që Arbri të frikësohej. Është ndaluar 3 herë nga policia. Unë në polici s’doja ta çoja kurrë, por si ta zbusja që të frikësohej. Edhe pse ishte gjithë ky virus, ai nuk u mblodh asnjëherë, nuk ndenji asnjëherë siç ndenjëm të gjithë.

Mirela Milori: Dilte?

Dashuri: Po ishte e pamundur ta mblidhje!

Mirela Milori: Dilte dhe shkonte të merrte substancë?

Dashuri: Po ishte i angazhuar, ai kishte programin! Kishte shoqërinë./tvklan.al




Të ngjashme