Një trup i pajetë u gjet i groposur më datë 15 Maj në Matkë të Epërme në periferi të Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Sipas mediave maqedonase, kufoma u gjet i varrosur rrëzë një shkëmbi, dhe sipas hetuesve, viktima fillimisht ishte vrarë me armë zjarri në kokë.

Trupi i viktimës u konstatua nga policia gjatë patrullimit në atë zonë, në bazë edhe të aromës së keqe.

Në vendngjarje u gjetën edhe gëzhoja armësh, por sikurse specifikohet nga mediat maqedonase, ajo zonë përdoret edhe për gjueti nga qytetarët. Policia nisi verifikimet nëse gëzhojat e plumbave të gjetur janë të ngjashme me plumbin e konstatuar në trupin e të viktimës. Nga autopsia mjeko-ligjore u arrit në përfundimin se trupi i pajetë është i moshës mes 30 – 50 vjeç.

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus, u sinjalizua në postën elektronike se viktima e gjetur në Shkup është e një shqiptari nga fshati Kryevidh i Kavajës, duke na dërguar edhe foto të tij. Nga bashkëpunimi me autoritetet ligjzbatuese shqiptare, ne arritëm të zbulonim se personi në foto është Riku Beu, i njohur edhe me emrin Shyqyri Beu 35 vjeç. Së fundmi ai kishte ndërruar edhe emrin në Tauland Beu.

Por ky emër nuk përmendej në asnjë prej artikujve dhe kronikave të pakta të mediave maqedonase. Kështu nisëm një hulumtim të përbashkët gazetaresk në të dy vendet me kolegët e Klan Macedonias. Nga verifikimet paraprake në bashkëpunim dhe me autoritetet policore shqiptare morëm përgjigjen se ky shtetas rezultonte që të ishte në Shqipëri dhe të mos kishte hyrje-dalje drejt shtetit fqinj për vitin 2020.

Ne mësuam që Riku Beu kishte qenë në Shkup, por kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria. Mësuam gjithashtu se Riku Beu ishte zhdukur në rrethana të çuditshme në një lokal në Shkup pasditen e 7 Marsit, kohë kur kishte humbur dhe kontaktet.  /klanplus