Policia dyshon për vrasës me pagesë

Policia e Fierit ka ngritur dyshime se personi që ekzekutoi 50-vjeçari Ahmet Toska, mund të jetë vrasës me pagesë.

Fakti që fillimisht e ka qëlluar nga distanca dhe më pas është afruar dhe e ka qëlluar edhe me 1 plumb në kokë, ka shtuar dyshimet për grupin hetimor se mund të kemi të bëjmë me një person me rrezikshmëri, që është paguar për të kryer vrasjen.

Dyshimet janë shtuar edhe nga dëshmia e gruas së Ahmet Toskës e cila ka thene se autori nuk i ngjante asnjë personi që ajo njeh.

Grupi hetimor ka rindërtuar skemën e vrasjes dhe rezulton se autori nuk ka lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes.

Përveç pistës së konflikteve të pronësisë dhe ndonjë borxhi, policia po heton edhe për ndonjë ngacmim që mund të jetë bërë shkak për vrasjen e 50-vjeçarit, punëtor në një karburant.

Uniformat blu kanë shoqëruar 5 persona për ngjarjen, të cilët kanë mohuar lidhjen me vrasjen, ndërkohë që në zonë janë sekuestruar edhe disa kamera sigurie.

Edhe familjarët janë shprehur se Ahmet Toska nuk u kishte raportuar për ndonjë konflikt kohët e fundit, prandaj hetuesit dyshojnë për ndonjë ngacmim nga ana e 50-vjeçarit.

Tv Klan